Shqipëria në “zonën” e kuqe – Rrjeti i transmetimit të energjisë ka nevojë për ndërhyrje masive
Një raport i publikuar nga Rrjeti Europian i Operatorëve të Transmetimit analizon ndërhyrjet që duhen kryer në rrjet, deri në vitin 2040 në vendet e Europës dhe ato të Europës juglindore.
Siç duket qartë edhe nga harta, për Shqipërinë rekomandohet lidhja me Maqedoninë, Greqinë, Serbinë dhe Malin e Zi. Nga ana tjetër Shqipëria klasifikohet ndër vendet që kanë nevojë për sasi mjaft të mëdha përforcimesh të rrjetit, gjë që ilustrohet me ngjyrën e kuqe në këtë hartë.
Këto ndërhyrje parashikohen si mjaft të mëdha jo vetëm në drejtim të sigurisë energjetike, por edhe në drejtim të objektivave në kuadër të luftës ndaj ngrohjes globale deri në vitin 2040.
Madje, edhe kur i referohet ndërhyrjeve që duhen bërë në rrjetin e brendshëm, pra pa nevojën e lidhjeve ndër kufitare me shtetet fqinje, Shqipëria vazhdon të përfaqësohet me ngjyrën e kuqe.
Me katër shtetet e lartpërmendura, vlerësimet e rrjetit europian të operatorëve të transmetimit, tregojnë se, duhen rritur ndjeshëm kapacitetet, pasi linjat ekzistuese nuk mjaftojnë.
Ndër këto linja, në ndërtim aktualisht është vetëm ajo e interkonjeksionit me Maqedoninë. Sipas vlerësimeve të raportit, ajo me kapacitetin më të lartë duhet të jetë ajo me Serbinë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.