Shqipëria, vendi më i pastër në botë për makinat elektrike – Burimi i rrymës elektrike nuk ka asnjë ndotje

Makinat elektrike mund të mos lëshojnë gazra në atmosferë, por ato janë ekologjike vetëm po aq sa burimi që prodhon elektricitet për bateritë e tyre. Sipas Unionit të Shkencëtarëve të Shqetësuar, nëse një vend përdor qymyrin për të prodhuar energji, sasia e emetuar në atmosferë pavarësisht nëse përdorim një makinë elektrike, do të ishte e ngjashme me atë të një makine normale me karburant.
Duke analizuar prodhimin e energjisë të 141 vendeve, studiuesit pranë Universitetit të Michigan kanë bërë një klasifikim të shteteve që kanë kështu energji më të pastër apo më të ndotur për të ushqyer makinat e tyre elektrike.
Ata përllogaritën sasinë e gazrave serë që lëshon për kilometra të përshkuar. Në vende si Shqipëria, Paraguai, Nepali dhe Etiopia, ku hidrocentralet përbëjnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike të prodhuar, drejtuesit e makinave elektrike lëshojnë më pak emetime të gazrave.
Në fakt Shqipëria është në krye të listës dhe nuk emeton fare gazra, duke marrë një vlerësim prej 5100 MPG (ghg). Për ta krahasuar me një automjet normal, konsumi i këtyre gazrave në vendin tonë për makinat elektrike është 0 L/100 km.
Nga ana tjetër, vende si Shtetet e Bashkuara apo Kina që mbështeten më shumë në qymyr, marrin një vlerësim prej vetëm 51.5 MPG (ghg) dhe 40 MPG (ghg). Ekuivalenti i gazrave të lëshuar në atmosferë duke udhëtuar me makina elektrike do të ishte 4.2 litra/100 km për SHBA dhe 5.9 litra/100 km për Kinën.
Gjithsesi rezulton se përdorimi i automjeteve me bateri elektrike është pothuajse gjithmonë më i pastër se automjetet tradicionale. Vetëm në 19 vende, si Nigeria, Sudani i Jugit, Eritrea, etj., ku impiantet e prodhimit të energjisë bazohen shumë në qymyr dhe naftë, udhëtimi me makinë elektrike rezulton të jetë në fakt më ndotës se udhëtimi me automjete me karburant.
Më poshtë është një listë me ekuivalentin e ndotjes të prodhuar nga udhëtimi me automjete elektrike për 12 ekonomitë më të mëdha të botës.
Shtetet e Bashkuara | 51.5 MPG (ghg) | 4.2 L/100 km |
Kina | 40 MPG (ghg) | 5.9 L/100 km |
Japonia | 44.3 MPG (ghg) | 5.3 L/100 km |
Gjermania | 52.1 MPG (ghg) | 4.5 L/100 km |
Mbretëria e Bashkuara | 67.8 MPG (ghg) | 3.5 L/100 km |
Franca | 524.6 MPG (ghg) | 0.4 L/100 km |
India | 35.7 MPG (ghg) | 6.6 L/100 km |
Italia | 64.5 MPG (ghg) | 3.6 L/100 km |
Brazili | 155.9 MPG (ghg) | 1.5 L/100 km |
Kanadaja | 169.5 MPG (ghg) | 1.4 L/100 km |
Korea e Jugut | 50.7 MPG (ghg) | 4.6 L/100 km |
Rusia | 70.7 MPG (ghg) | 3.3 L/100 km |
Shqipëria | 5100 MPG (ghg) | 0 L/100 km |
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.