“Shtegu i Gjelbër” – Edicioni i 3, marrin pjesë mbi 100 çiklistë
Për të tretin vit radhazi në kryeqytet u zhvillua gara e “Shtegut të Gjelbër”. Mbi 100 çiklistë nisën garën nga sheshi Skëndërbej që prej orës 9 të mëngjesit duke përshkuar 63 km.
Gara zgjati më shumë se 5 orë. Fitues u shpallën çiklisti Demir Mulic nga Mali i Zi i cili u shpërblye me 1 mijë euro dhe i dyti Drini Bardhi me 500, ata shprehën për televizionin SCAN emocionet e kësaj gare dukë e vlerësuar si një eksperiencë të rëndësishme.
“Është hera e dytë që vij këtu dhe nuk vij vetëm për të fituar por për të shijuar garën. Herën e parë e kam patur pak më të vështirë pasi ishte koha e keqe kurse tani u ambientova dhe terreni ishte më i përshtatshëm, ishte garë më e lehtë. Megjithatë fitorja është njësoj”, shprehet Demir Mulic.
“Ishte shumë e bukur, pavarësisht që gjatë rrugës po mendoja ca i bëra vetes që u futa në këtë garë kur futesha nëpër shtigje të rrezikshme, por tani që mbarova me të vërtetë që ishte një sfidë me veten tënde”, tha Drini Bardhi.
Më herët, garës iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili premtoi ndërtimin e 10 km korsi biçikletash të mbrojtura.
“Për ata që ndo0shta nuk janë profesionistë por që përdorin biçikletën në Tiranë këtë vit do të kemi 10 km rrugë korsi biçiklete të mbrojtur, që do të thotë që makinat nuk do të mund të hyjnë në korsinë e biçikletave që të shmangim skenat e shëmtuara që kemi parë dhe unë besoj që nëse e kthejmë në sfidë siç kemi fituar shumë beteja në këtë qytete, ne do ta kthejmë 2018 në vitin kur Tirana iu rikthye biçikletës”, u shpreh Veliaj.
Kjo garë u realizua Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe organizatave të çiklo-krosit, pjesëmarrësit në edicionin e 3-të të “Shtegut të Gjelbër” përshkruan një itinerar duke nisur nga Sheshi “Skënderbej”, përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Petrelë, ku ishte stacioni i parë i kronometrimit.
Më pas në Koçaj, Rodhje dhe për ta mbyllur kronometrimin në finishin e Mulletit, ndërsa mbërritja për publikun ishte sërish Sheshi “Skënderbej”.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.