Si i shohin premtimet elektorale bizneset e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit? Rezultatet e sondazhit

Konfederata e Industrisë (Konfindustria) ka publikuar rezultatet e një sondazhi që ka realizuar me bizneset lidhur me programet e paraqitura në publik të partive politike kryesore me rastin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit.
Referuar njoftimit zyrtar, sondazhet kanë përfshirë periudhën shkurt-java e parë e marsit 2021. Në vlerësim janë përfshirë 143 biznese të kategorive të mesëm dhe të mëdhënj në Qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan. Sektorët janë industri, prodhim, shërbime, agroindustri, etj.
“ Pyetjes së parë të sondazhit, që lidhej me besueshmërinë e zbatimit të programeve/premtimeve ekonomike pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021 nga qeverisja politike, 76% e bizneseve u përgjigjën, që nuk kanë besim ose kanë shkallë shumë të ulët besimi.
Pyetjes së dytë të sondazhit, që lidhej me ndikimin e vendimeve dhe/ose premtimeve me rastin e zgjedhjeve të 25 prillit heqje/nxjerrje nga skemat e pagesave të detyrimeve fiskale të kategorive të biznesit të vogël, 69% e bizneseve të pyetura u përgjegjën, që janë të dëmshme ekonomikisht në afatgjatë, prishin konkurencën e lirë në treg dhe do shtojnë informalitetin” njofton Konfindustria.
Referuar njoftimit, Qendra e Studimeve të Konfindustrisë do të vazhdojë të publikojë të dhënat e e moduleve të tjera të sondazheve të kryera me bizneset, lidhur me brendinë e programeve ekonomike të paraqitura nga partitë politike me rastin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Konfindustria, duke marrë shkak edhe nga përfundimet e mësipërme të sondazheve me bizneset, u bën thirrje partive politike të jenë më të qartë, të përgjegjshëm dhe profesionalë në programet ekonomike, që i ofrojnë qytetarëve dhe sipërmarrjes shqiptare në zgjedhjet e 25 prillit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.