Si ndikon kursi i këmbimit në jetën tonë?
Në botë thuajse çdo vend ka monedhën e tij. Ashtu sikurse ne përdorim lekun për të kryer të gjitha transaksionet tona, në eurozonë përdoret monedha euro, në SHBA përdoret dollari amerikan, në Mbretërinë e Bashkuar paundi britanik e kështu me radhë.
Tregtia mes vendeve përfshin shkëmbimin e monedhave të ndryshme. Për një firmë shqiptare blen mallra në një vend të huaj duhet të paguajë shitësin e këtyre mallrave në monedhën e tyre vendase.
Shkëmbimi i monedhave kryhet në tregun valutor apo siç i themi ndryshe në tregun e këmbimit.
Në këtë treg monedhat shiten dhe blihen njësoj sikur të ishin një mall dhe çmimi I tyre është kursi i këmbimit.
Sasia e nevojshme për të blerë një euro, është pikërisht çmimi i euros i shprehur ne lekë.
Kursi i këmbimit është i rëndësishëm sepse ndikon në çmimet e mallrave të importuara dhe atyre të eksportuara.
Në një regjim të lirë të kursit të këmbimit, vlerat e monedhave të ndryshme luhaten në kohë. Kështu një euro sot kushton 135.0 por pas një viti ajo mund të kushtojë 125.0 apo 145.0. Në rastin e parë na duhen më pak lekë për të blerë një euro dhe themi se monedha jonë është mbiçmuar kundrejt euros, kurse monedha euro është nënçmuar kundrejt lekut.
Burimi: Banka e Shqipërisë
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.