Si t’i menaxhoni financat tuaja?

Menaxhimi i financave personale është një temë e cila nuk mësohet në shkollë, por është diçka me të cilën të gjithë do të ndeshemi një ditë.
Këtu mund të gjeni disa mënyra se si të menaxhoni vetë financat tuaja.
1. Krijoni një buxhet
Për një muaj gjurmojini shpenzimet tuaja, ndonëse nuk është e thënë të limitoni blerjet, pasi ky është pikërisht muaji për të krijuar idenë se me çfarë po i harxhoni më së shumti paratë tuaja. Në fund të muajit shikoni listën dhe evidentoni produktet apo shërbimet të cilat ju kushtojnë me shumë. Shikoni rëndësinë që kanë këto shpenzime në jetën tuaj dhe përpiquni të evitoni disa nga këto blerje, sa më shumë të keni mundësi.
Përpiquni të jeni sa më të drejtë kur bëni një bilanc në letër për shpenzimet tuaja, si dhe mbi vlerën që do shpenzoni, pasi në fund të fundit ato janë paratë tuaja.
2. Shpenzojini paratë në mënyrë të suksesshme
Shpeshherë blejmë produkte, të cilat i përdorim vetëm njëherë gjatë jetës tonë dhe më pas ju fshijmë vetëm pluhurin. Një mënyrë e mirë për të evituar blerjen e produkteve të tilla është t’i marrim ato me qira. Në këtë formë përveç se shpenzojmë më pak para, na ndihmon të jemi më të kujdesshëm në mirëmbajtjen e produktit. Një tjetër opsion për t’i shpenzuar paratë në mënyrë sa më eficente është dhe pajisja me një kartë krediti. Nëse nuk keni besim tek vetja dhe mendoni se nuk i rezistoni dot një karte krediti, mund ta kyçni në dollap, por mjafton të keni një të tillë. Shpeshherë kartat e kreditit janë shumë të rëndësishme për tu stabilizuar, apo për të dalë nga situata.
3. Bëni investime të zgjuara
Përpiquni të njiheni me opsione të ndryshme investimesh. Ndërsa rritemi kuptojmë se bota financiare është shumë më e ndërlikuar se ajo që e kishim menduar. Krijoni përparësi duke çuar një pjesë të parave tuaja në një llogari që mund t’iu duhet kur të dilni në pension. Nëse e njihni mirë tregun mund të investoni në aksione ose obligacione. Të bësh investime të zgjuara do të thotë që të investosh për veten dhe të ardhmen tënde, ja pse të kesh një mbulim të mirë sigurimi është shumë e rëndësishme. Njerëzit e zgjuar presin të papriturën, në këtë formë ju do të jeni të sigurt përpara çdo të papriture.
4. Krijoni një fond emergjence
Ju duhet të hiqni disa para mënjanë, duke pretenduar se nuk i keni, në mënyrë që të krijoni një fond emergjence. Në rastet e emergjencës, paratë të nevojiten menjëherë dhe procedurat nëpër banka kërkojnë pak kohë, qoftë edhe nëse i përmbushni të gjitha kriteret për të marrë një hua. Atëherë zgjidhja më e mirë është të keni këto para mënjanë të cilat do t’ju vijnë në ndihmë menjëherë.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.