Sofja zgjeron rrjetin e metrosë – Kostoja ndër vite pranë 1 miliardë eurove

Rrjeti i metrove në kryeqytetin e Bullgarisë ka përfituar një tjetër fond nga Bashkimi Europian për zgjerimin e linjës numër 3. Janë 86,6 milionë euro që do të përdoren për të ndërtuar disa stacione nëntokësore përgjatë një seksioni 4 kilometra të gjatë, nga qendra në drejtim të jugperëndimit.
Kjo shumë i shtohet shifrës prej 368 milionë euro të investuara nga Fondi Europian për Zhvillim Rajonal, të akorduar një vit më parë për ndërtimin e linjës numër 3.
Kur të përfundojë, kjo linjë e re do të jetë 16 kilometra e gjatë me 19 stacione, duke e çuar rrjetin e metrosë në Sofje deri në 2020-ën në një total prej 56 kilometrash linja dhe 53 stacionesh.
“Metroja në Sofje përdoret nga mbi gjysmë milioni njerëz çdo ditë. Ajo është bërë pjesë e përditshmërisë në qytet dhe banorët tani gëzojnë një sistem transporti publik modern, të aksesueshëm dhe të rehatshëm; krahas reduktimit të kohëve të udhëtimit, ndotjes së ajrit dhe ndalesave të trafikut në të gjithë kryeqytetin”, u shpreh Komisionerja për politikat rajonale Corina Cretu.
Gjatë viteve 2007-2013, pothuajse gjysmë miliardi nga fonde të Bashkimit Europian u investuan në zgjerimin e linjave 1 dhe 2, për të lidhur qendrën e qytetit me Aeroportin dhe Parkun e Biznesit.
Gjatë punimeve u krijuan rreth 3500 vende të reja pune, ndërsa gati 1 mijë njerëz janë punësuar për të operuar shërbimet. Sot, një biletë metroje kushton 0,82 euro, ndërsa karta e abonesë mujore kushton më pak se 18 euro.
Në total, kontributi i BE për ndërtimin e metrosë së Sofjes nga viti 2007 e në vijim ka qenë 940 milionë euro.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.