Studentët ekselentë – MAS rrit fondin me 150 mln lekë

Ministria e Arsimit gjatë 2017-ës, ka rritur me 150 milion lekë fondin e mbështetjes financiare për studentët ekselentë që studiojnë në 15 universitetet më të mira të botës. Kjo mbështetje financiare, sipas MAS për studentët e doktoratës do të shkojë për kostot e jetesës. Të përfshirë në këtë shtesë fondi janë edhe punonjës të administratës publike, të cilët përfitojnë trajnime, kualifikime apo studime të ciklit të dytë dhe tretë në 300 universitet më të mira të botës në degët:
– Politika publike
– Administrim publik
– Politika ekonomike
– Politika arsimore
– Politika shëndetësore
– Urbanistikë dhe zhvillim urban
– Menaxhim i financave publike
– E drejtë administrative/publike
– Studime Evropiane
Gjatë vitit 2017, sipas raportit të publikuar mbi detajimin e buxhetit dhe objektivat e arritura, Ministria e Arsimit krahas sigurimit për mbështetje financiare për studentët praktikantë dhe personelit akademik për të studiuar jashtë vendit, ka siguruar mbështetje edhe për sportin dhe aktivitetet rinore, duke e bërë vendin tonë pjesëmarrës me titull të plotë në programin Erasmus+, programi ky i BE-së për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin, propozuar nga Komisioni Europian, që synon të nxisë modernizimin e sistemeve arsimore.
Sipas këtij raporti nënvizohet se 140 milion lekë kanë shkuar për marrëveshjen “Horizon 2020”, për pjesëmarrjen programi i BE-së për Kërkim dhe Inovacion.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.