Subvencionet e avionëve SHBA-Europë/ OBT vendos këtë javë. Pritet një luftë tjetër tregtare
Organizata Botërore e Tregtisë pritet të mbështesë kërkesën e Shteteve të Bashkuara, për të vendosur tarifa ndaj mallrave europianë që arrijnë vlerën e miliarda dollarëve, ç’ka mund të nisë një tjetër luftë tregtare nga të dy anët e Oqeanit Atlantik.
Në nisje të Javës, zyrtarët e Organizatës do të përfundojnë një rast 15-vjeçar të ngritur nga Shtetet e Bashkuara, që kërkon kompensim për subvencionet e jashtëligjshme të dhëna nga qeveritë europiane drejt Airbus.
Më herët gjatë muajit, vlera në treg e Airbus ra ndjeshëm pas raportimeve se Organizata do të vendosë në favor të Shteteve të Bashkuara, gjë që i jep të drejtën presidentit Donald Trump që të vendosë tarifa ndaj miliarda dollarë mallrave.
Washingtoni ka bërë të ditur se kërkon të tarifojë 100% të eksporteve europiane në SHBA, me një vlerë vjetore prej rreth 11.2 miliardë dollarë në vit. Administrata e Trump ka hartuar një listë të madhe të mallrave europianë, nga të cilat do të zgjedhë se kush do tarifohet.
Përveç pjesëve europiane të avionëve, mallra të tjerë në listë përfshihen motoçikletat, ushqimet, pijet dhe veshjet. Europa nga ana tjetër, ka ngritur padinë e vetë te OBT, ku argumenton se prodhuesi amerikan Boeing merr ndihmë të padrejtë financiare nga qeveria e SHBA. Vendimi për këtë pritet të ndodhë pas 9 muajsh.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.