Subvencionet “peng” – Mungon udhëzimi, shtyhen aplikimet për fermerët

Pavarësisht se fondi dhe skemat e shpërndarjes së subvencioneve janë miratuar në muajin Shkurt nga qeveria, fermerët e interesuar ende nuk kanë të drejtë të aplikojnë për të qenë përfitues.
Vitet e fundit procesi i aplikimit ka filluar në muajin Prill, ndërsa këtë vit ende nuk ka filluar. Kjo për shkak se vendimi i qeverisë nuk është shoqëruar me udhëzimin përkatës që detajon mënyrën e aplikimit dhe Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural nuk mund të kryejë asnjë procedurë.
Përfaqësues të kësaj agjencie shprehen se janë në pritje të udhëzimit, ndërsa aplikimet mund të nisin në muajin Maj.
Gjatë këtij viti, fondi i vënë në dispozicion për këtë qëllim është zvogëluar, nga 1.9 miliardë lekë, në 1.6 miliardë lekë. Ndërkohë që nevoja dhe kërkesa për financim e këtij sektori ka ardhur gjithnjë e në rritje, pasi edhe konsiderohet si motor i rritjes ekonomike, është lënë pas dore, edhe për shkak të informalitetit të lartë.
Skema është e njëjtë me atë të një vit më parë, ku sipas vendimit të qeverisë, fondi do të shkojë për investimet për
- rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm të tregut;
- përmirësimin e teknologjisë së kultivimit dhe të mbrojtjes së bimëve;
- prodhimin e perimeve në ambiente të mbrojtura;
- mbarështimin e blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës;
- furnizimin e qëndrueshëm të tregut dhe rritjen e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale;
- nxitjen e investimeve në sektorin e përpunimit, ruajtjes dhe marketingut të produkteve;
- rritjen e mundësisë së fermerëve për mjete të mekanizuara;
- nxitjen e formalizimit, kooperimit dhe organizimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor (SHBB).
Projektet fituese do të përzgjidhen në bazë të hartës së rajonizimit të miratuar nga Ministria e Bujqësisë.
Elisabeta Dosku/SCAN
Tregjet Bujqësore – Çmimet e produkteve në tregun agroushqimor Tiranë, Lushnje, Shkodër
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.