Surprizon Apple – Rekord shitjesh në T3, aksionet ngjiten me 6%

Apple raportoi në mënyrë surprizë një tremujor të tretë fiskal mjaft të fortë, me fitime që i tejkalojnë pritshmëritë.
Kjo vjen në prag të përvjetorit të 10-të të iPhone që pritet të shoqërohet me prezantimin e modelit më të fundit të celularit inteligjent.
Të dhënat e raportuara nxitën aksionet e Mollës të ngjiten me plot 6%, duke prekur për rrjedhojë edhe rekordin historik. Kompania deklaroi se, ka prekur rekordin e 1.2 miliardë iPhonëve të shitur.
Tradicionalisht, tremujori që zgjat nga Prilli në Qershor ka qenë i vakët për Mollën, pasi është periudha kohore në pritje të daljes së modelit të ri të iPhone, që zakonisht prezantohet çdo vit në muajt e vjeshtës.
Performanca e fundit tregon se, blerësit e iPhone janë më pak të predispozuar që të shtyjnë blerjet e tyre deri në daljen e modelit të ri.
Edhe shitjet e produktit iPad rezultuan mbi pritshmëritë. Madje edhe Apple Watch regjistron një rritje të shitjeve me 50%.
Sa i përket modelit të ri të iPhone, që ndoshta nuk do të mbajë numrin 8-të, pritshmëritë e publikut janë tepër të larta. Këto pritshmëri janë reflektuar edhe në projeksionet e Apple, që presin një bum të shitjeve.
Gjatë tremujorit të tretë, shitjet e iPhone u rritën me 1.6%, në 41.03 milionë njësi të shitura, por me një çmim mestar më të ulët se pritshmëritë, në 606 dollarë për njësi.
Të ardhurat neto të kompanisë u rritën kështu në 8.72 miliardë dollarë, nga 7.8 miliardë që ishin një vit më parë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.