Tahiri me homologun gjerman: Bashkëpunim me hetime të përbashkëta policore
Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri takoi në Berlin Ministrin e Brendshëm Federal të Gjermanisë, Thomas de Maiziere.
Krijimi i grupeve të përbashkëta hetimore në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, ishte një ndër çështjet kryesore të diskutuara mes dy ministrave.
“Prioritet është krijimi i grupeve të përbashkëta hetimore në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar si një ndër prioritetet kyç në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Patëm mundësinë të diskutonim edhe për çështje të tjera, në mënyrë të veçantë edhe për reformën në drejtësi dhe domosdoshmërinë për të filluar menjëherë me procesin e Vetting-ut, si një proces kryesor për pastrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar”, tha ministri Tahiri.
“Kemi pasur lidhje ndërmjet krimit të organizuar shqiptar dhe atij gjerman, ose kriminelë që veprojnë këtu në Gjermani. Për këtë arsye kemi vendosur që bashkëpunimin ta përmirësojmë dhe me hetime të përbashkëta, në mënyrë që të luftojmë këtë të keqe të përbashkët”, deklaroi ministri gjerman Thomas de Maiziere.
Çështje e diskutimit ishin edhe kërkesat e shqiptarëve për azil në Gjermani.
“Para dy vitesh ishte shqetësuese që shtetas shqiptarë nga Shqipëria dhe jo vetëm, erdhën këtu për të kërkuar azil. Megjithatë falë bashkëpunimit shumë të mirë u bë e mundur që këto shifra të reduktohen dhe të kryhet riatdhesimi i tyre. Kjo nuk ishte diçka e lehtë për qeverinë shqiptare, por megjithatë funksionoi shumë mirë”, u shpreh ministri i Brendshëm i Gjermanisë.
Eralda Zito/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.