Tatimet, 5.660 sekuestro në 2016 – Në total, më shumë se 38 mijë urdhëra sekuestrimi bizneseve
Në vitin 2016 Administrata Tatimore ka vendosur 5.660 sekuestro ndaj pasurive të subjekteve debitore si masë shtrënguese për të shlyer detyrimet.
Përmes këtyre sekuestrimeve është bërë e mundur vjelja e detyrimeve për një total prej 1 miliardë lekësh, afërisht 10 milionë dollarë, ndërkohë që shuma totale e tyre vlerësohet rreth 90 milionë dollarë.
Të dhënat vijnë përmes treguesve zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sipas të cilave numri total i urdhër sekuestrimeve deri në vitin 2016 ka arritur në më shumë se 38 mijë.
Një numër kaq i madh masash shtrënguese shpjegon edhe numrin shumë të lartë të padive gjyqësore të ngritura nga bizneset në drejtim administratës tatimore.
Televizioni SCAN ka zbardhur një raport zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sipas të cilit aktualisht ka arritur në 426 numri i bizneseve që kanë paditur administratën tatimore për vlerësime, gjoba apo kamatvonesa të padrejta.
Shfuqizimi i vlerësimeve tatimore të kryera nga Drejtoritë Rajonale është edhe motivi kryesor për të cilën bizneset i drejtohen gjykatës. Sipas bizneseve, këto vlerësime janë joreale, duke u shoqëruar edhe me gjoba e kamatvonesa të kripura.
Nga zbardhja e padive, bie në sy se gjobat më të ulëta të kontestuara arrijnë vlerën e 1 milionë lekëve, por ka edhe kompani të cilat penalitetet bashkë me kamatvonesat u arrijnë deri 9 milionë lekë, afërisht 80 mijë dollarë.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.