Tatimet, apel bizneseve – 30 Qershori, afati i fundit për dorëzimin e deklaratave

Të gjithë ato biznese që duan të përfitojnë nga ligji i faljes duhet të jenë korrektë në afatin e dorëzimit të deklaratave.
Nëpërmjet një njoftimi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, iu bën apel bizneseve që të dorëzojnë deri më datë 30 qershor deklaratat e çdo periudhë tatimore, pavarësisht vitit të cilit i përkasin apo llojit të tyre.
“Ju kujton tatimpaguesve se Ligji “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore” ndër të tjera parashikon: “Heqjen e gjobave për mosdeklarim në afat, për deklaratat e padorëzuara të çdo periudhe tatimore me kushtin që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet elektronikisht deri në datën 30.06.2017”, thuhet në njoftimin e administratës tatimore.
Sipas këtij njoftimi zyrtar, çdo deklaratë e dorëzuar përtej këtij afati, nuk ju bën përfitues të faljes së gjobave.
Sipas përllogaritjeve të bëra gjatë hartimit të këtij ligji, në total borxhi tatimor dhe doganor që pritet të falet potencialisht arrin me 91 miliard lekë.
Vlera e taksave të mjete të përdorura që çregjistrohen sipas te dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit te Transportit Rrugor është përllogaritur rreth 11.9 miliardë lekë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.