Tatimet, apel biznesit – Ligji i faljes, përfitoni brenda afatit!
Nga ligji i faljes kanë përfituar mjaft biznese të cilat kishin detyrime të papaguara ndaj administratës fiskale. Ndërkohë, 30 Dhjetori është afati i fundit ku bizneset përfitojnë fshirje të plotë apo të pjesshme të detyrimeve që i kanë administratës tatimore nga implementimi i ligjit të faljes.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, administrate tatimore i bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të shfrytëzojnë mundësinë e fundit për të përfituar nga falja e gjobave dhe kamatëvonesave, duke paguar më parë detyrimin tatimor (principalin e tatimit).
“Ju kujtojmë se data 30 Dhjetor 2017 është dita e fundit e zbatimit të Ligjit nr. 33/2017 “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes /shuarjes së detyrimeve tatimore”, për këtë qëllim të gjitha Drejtoritë Rajonale Tatimore do të punojnë me orar të plotë zyrtar në të gjithë territorin”, shkruan DPT.
Sipas statistikave të administratës fiskale deri më tani, nga detyrimet tatimore janë falur 18.3 miliardë lekë, ndërsa nga detyrimet doganore 1.6 miliardë lekë. Sipas relacionit që shoqëron këtë ligj, vlera e faljes së borxheve që qytetarët apo bizneset i kanë shtetit është përllogaritur në 91 miliardë lekë.
Vlera e taksave të mjete të përdorura që çregjistrohen sipas te dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit te Transportit Rrugor është përllogaritur rreth 11.9 miliardë lekë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.