Të ardhurat në buxhet – 11-mujori, 22.1 miliardë lekë më shumë se viti 2016
Të ardhurat në buxhetin e shtetit për 11-mujorin 2017 arritën në rreth 390.4 miliardë lekë me një realizim në masën rreth 98.6 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016 ky zë ka rezultuar 6 përqind më i lartë ose rreth 22.1 miliardë lekë më shumë.
Sipas statistikave zyrtare të botuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në terma vjetorë, të ardhurat e përgjithshme për 11-mujorin 2017 u realizuan në masën rreth 88.2 përqind të planit vjetor të ndryshuar.
Referuar këtyre të dhënave, të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” për periudhën Janar-Nëntor 2017, u realizuan në vlerën 342.2 miliard lekë, 22.9 miliard lekë ose 7.2% më shumë se 11-mujori i vitit 2016 dhe me një realizim në masën 99.4 % të planit të periudhës.
Ndërkohë shpenzimet e përgjithshme publike, për 11-mujorin arritën në rreth 401 miliardë lekë me një realizim në masën 96.6 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016 ky zë ka rezultuar 11 përqind më i lartë ose rreth 39.8 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet korrente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim optimal, respektivisht në masën 98.2 përqind dhe 86.0 përqind të planit të periudhës. E gjithë kjo periudhë fiskale është shoqëruar me një deficit prej 10.5 miliardë lekë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.