Të ardhurat nga vendorët – Xhepa: Rritja, rezultat i shtimit të barrës së taksave e manaxhimit

Rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga pushteti vendor me rreth 50% , vjen si rezultat i rritjes së barrës së taksave dhe një menaxhimi të mirë të grumbullimit të të ardhurave. Kështu e ka komentuar këtë rritje eksperti i ekonomisë Selami Xhepa. Xhepa theksoi për TV SCAN se në këtë proces ka ndikuar pozitivisht edhe reforma territoriale duke siguruar mundësi për mbledhjen e më shumë taksave.
“Disiplina e autoriteteve fiskale në raport me subjektet ekonomike ka qenë pozitive së pari. Së dyti, mënyra se si janë menaxhuar financat publike, pra duke mos krijuar presione të mëdha, shpenzime të mëdha buxhetore, gjatë periudhave zgjedhore, duket që ka patur një ekuilibër mjaft interesant. Të njëjtën gjë e vëmë re edhe nga autoritetet vendore, në fakt dinamikat e rritjes së të ardhurave nga autoritetet vendore, që pas reformës territoriale, kanë qenë mjaft pozitive dhe impresionuese. Kjo mund t’i atribuohet edhe rritjes së kapaciteteve që kanë në autoritetin e tyre për të rritur të ardhurat dhe së dyti tatimit mbi pasurinë, që është një nga burimet më të rëndësishme të të ardhurave të pushtetit vendor, por edhe rritjes së disiplinës fiskale”, u shpreh Xhepa për SCAN.
Nga pikëpamja e shpenzimeve Xhepa shtoi se ato nuk kanë ndryshuar, duke mos pasur investime publike nuk ka shpenzime gjë e cila krijon mundësinë e një sufiçiti.
Sipas Xhepës fushata elektorale nuk ka ndikim ne te ardhurat në buxhetin e shtetit , ai vlerësoi rolin e ministrave te rinj si kujdestar gjatë kësaj periudhe. Për të mos lejuar që administrate të përdoret.
“Ndryshimet që ndodhën në kompozimin e qeverisë, për shkak të proceseve politike që ndodhën gjatë muajve të fundit, nuk mendoj se pritet të kenë ndonjë ndikim të rëndësishëm sa i takon performancës, sepse autoritetet e reja që kanë marrë postet e tyre nuk janë për të bërë politika, janë më shumë për të mbikëqyrur mënyrën e menaxhimit të administratës publike, në veçanti të administratës publike dhe segmenteve të veçanta të saj në raport me zgjedhjet. Pra, më shumë se sa një qeverisje për të bërë politikë, kjo është një qeverisje kujdestare, për t’u kujdesur, për të monitoruar, për të mbikëqyrur në veçanti veprimtarinë e nëpunësve të administratës publike. Mendoj se me këtë rast, eliminohet tërësisht”, tha Xhepa.
Sipas INSTAT të ardhurat nga pushteti vendor janë rritur me afro 50%, në krahasim me një vit me parë. Për 4-mujorin e parë të 2017-ës llogariten të jenë mbledhur në arkën e shtetit 7.8 miliardë lekë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.