Të paaftë përballë gënjeshtrës – Indeksi i medias 2018, fake-news “lulëzon” në Shqipëri
Shqipëria është një prej vendeve më të papajisura në Europë për t`u përballur me fenomenin e fake news por edhe me të vërtetën, thotë Indeksi i Alfabetizmit të Medias 2018.
Ky indeks, e rendit vendin tonë të tretën nga fundi në Europë, me vetëm 22 pikë. Më keq se vendi ynë në Europë është vetëm Turqia dhe Maqedonia. Të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe të Europës ndërkohë regjistrojnë një performancë bindshëm më të mirë.
Renditja e Shqipërisë në pozita aspak të favorshme në këtë drejtim lidhet ngushtë edhe me mungesën e një ligji dhe rregullatorëve sa i përket portaleve dhe faqeve të internetit, që funksionojnë në anarki thuajse totale. Mungesa e tutelimit të këtyre faqeve bën që shpeshherë e vërteta të mos jetë e tillë dhe që fake news të shpërndahen me ritme të shpejta.
Jo rastësisht, Shqipëria është një prej vendeve më të përfshira në fushatën e fake news të zgjedhjeve presidenciale amerikane, ku përballë ishin Hillary Clinton dhe Donald Trump. Në Shqipëri ishin të regjistruara një sërë faqesh që gjeneronin fake-news.
Një tjetër studim i pak kohëve më parë ndërkohë, tregonte se shqiptarët janë populli më i predispozuar në Europë për të besuar mediat. Indeksi i alfabetizmit të medias merr parasysh një sërë faktorësh, madje edhe nivelin e arsimimit të një shoqërie për të përcaktuar nëse një shtet i caktuar është në gjendje të mbrohet nga fake-news ose jo.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.