Inflacioni mbështet BQE – Rritet në 1.4% gjatë Marsit, nuk devijon planet për heqjen e stimujve
Inflacioni në zonën e valutës së përbashkët është rritur gjatë muajit Mars për shkak të rritjes së kostos së ushqimit dhe shërbimeve, duke ofruar mbështetje për politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane në reduktimin e stimujve monetarë.
Zyra e Statistikave e Bashkimit Europian, Eurostat, vlerësoi se inflacioni në 19 vendet që ndajnë euron arriti në 1.4% gjatë muajit Mars me bazë vjetore, në rritje nga 1.1% që ishte në Shkurt dhe në linjë me projeksionet.
Edhe nëse niveli i çmimeve qëndron poshtë objektivit të institucionit në pranë 2%, politikëbërësit po debatojnë mbi përfundimin e skemës së blerjes së obligacioneve prej 2.55 trilionë euro. Guvernatori i Bankës së Austrisë, Ewald Nowotny, tha javën e kaluar se BQE me shumë mundësi do të vendosë këtë verë për të shkurtuar blerjen e obligacioneve.
Komponenti i ushqimit të papërpunuar u rrit me 0.9% në Mars, krahasuar me 0.9% rënie gjatë Shkurtit. Pashkët kanë rritur gjithashtu çmimet e paketave të pushimeve për Marsin. Komponenti i shërbimeve u rrit me 1.5% nga 1.3% që ishte në Shkurt. Energjia pati rritje me 2%, në rënie të lehtë nga muaji i kaluar. Inflacioni bazë, që heq energjinë dhe ushqimet, u rrit ne 1.3% nga 1.2% që ishte në Shkurt.
Eurostat publikoi edhe të dhënat për papunësinë në Eurozonë, që u regjistrua në nivelin më të ulët në 9 vite për Shkurtin, në 8.5%. Numri total i të papunëve ra me 141,000 në 13.9 milionë njësi.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.