Të sëmurët hemofilikë – Shqipëria siguron mbështetjen e Italisë për trajtimin e tyre. Së shpejti, marrëveshje e re mes dy vendeve

Shqipëria do të nënshkruajë së shpejti një marrëveshje të re në fushën e shëndetësisë me Italinë për forcimin e ndërsjellë në disa sektorë, si në shëndetin publik, farmaceutikë, spitale, edukimin dhe trajnimin e mjekëve.
Lajmin e ka bërë të ditur, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ku mori pjesë sot në një tryezë pune në Senatin Italian, për shkëmbimin e eksperiencave dhe bashkëpunimin mes vendeve për sëmundjet e lindura të gjakut.
Sipas ministres, pavarësisht se trajtimi i pacientëve me këto sëmundje ka ndryshuar vitet e fundit, mbetet ende për të bërë në këtë drejtim.
“Jetëgjatësia dhe trajtimi i pacientëve me hemoglobinopatite ka ndryshuar cilësisht vitet e fundit në Shqipëri, por kemi ende shumë për të bërë sa i takon profilaksisë dhe identifikimit të hershëm të sëmundjeve të lindura të gjakut”, tha Manastirliu.
Kjo e fundit vlerësoi mbështetjen e vendit fqinj për dhënien e ndihmës konkrete për sigurimin e faktorit VIII, i cili është jetik për të sëmurët hemofilikë.
Seanca drejtohet nga peri Paolo Sileri, president i Komisionit të Shëndetësisë në Senatin italian, ku morën pjesë gjithashtu edhe nënsektretari i shtetit, Armando Bartolazzi, zëvendës sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë në Itali.
Ministrja zhvilloi më herë takime zyrtare në shtetin fqinj në kuadër të projekteve të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sëmundjeve të lindura të gjakut, ku Shqipëria është përfituese e faktorëve antikoagues, në sajë të bashkëpunimit mes Ministrisë Shëndetësisë, Rajonin e Toskanës dhe Spitalit Universitar “Meyer” në Firenze.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.