Ngadalësohet ekonomia e Eurozonës – Rritet me vetëm 0.2% në T3, bie treguesi i ndjesisë ekonomike
Ekonomia e Eurozonës është ngadalësuar më shumë se ç’pritej në tremujorin e tretë dhe treguesi i ndjesisë ekonomike është përkeqësuar gjithashtu, sipas të dhënave zyrtare. Eurostat, publikoi të dhënat për Produktin e Brendshëm Bruto në zonën e valutës së përbashkët, ku pati rritje me 0.2% në tremujorin e tretë, në rënie nga 0.4% që u regjistrua në të dytin. Me bazë vjetore, rritja e Produktit të Brendshëm Bruto u ngadalësua në 1.7% nga 2.2% që ishte në tremujorin e dytë, poshtë projeksioneve për 1.8% nga analistët.
Ndërkohë që Eurostat nuk ofron të dhëna kombëtare në publikimin paraprak, agjencia italiane e Statistikave tregoi se ekonomia ka “ngecur” në tremujorin e tretë, në një kohë të përplasjeve me Bashkimin Europian mbi buxhetin e vitit të ardhshëm. Paralelisht, Komisioni Europian publikoi treguesin e ndjesisë ekonomike, ku pati rënie në Eurozonë për të 10-in muaj radhazi. Treguesi, që përmbledh moralin e manaxherëve dhe konsumatorëve, ra në 109.8 pikë në Tetor, nga 110.9 që ishte një muaj më parë.
Gjatë Tetorit, rënia më e madhe u regjistrua në shitjet me pakicë, ndjekur nga Industria dhe shërbimet, ndërsa ndjesia e konsumatorit u rrit lehtë prej përmirësimit të pritshmërive mbi kursimet. Ndër vendet anëtare, ndjesia ekonomike u përkeqësua në Gjermani, Francë dhe Itali, që janë 3 ekonomitë më të mëdha në Eurozonë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.