Tenderi për internetin në mbi 1100 shkolla – Shpallet fituese oferta e Albtelecom

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka shpallur ditën e martë fituesin e tenderit për ofrimin e shërbimit të internetit në 1109 shkolla në të gjithë territorin e vendit.
Oferta e operatorit ekonomik “Albtelecom” prej 162 milionë lekësh, ndonëse oferta më e lartë e paraqitur, u shpall fituese për shkak të skualifikimit të ofertuesve të tjerë.
Pjesëmarrës në procedurën me fond limit 198 milionë lekë, me vlerat përkatëse të ofruara ishin:
Bashkimi i OE “Abissnet” dhe “Abcom” | 129 milionë lekë |
Bashkimi i OE “Albanian Satellite Communication”, “Telekom Albania” dhe “Infosoft System” | 154,7 milionë lekë |
Bashkimi i OE “Albanian Telecommunications Union” dhe “Abcom” | 160 milionë lekë |
“Albtelecom” | 162 milionë lekë |
Por pavarësisht ofertave më të ulëta, të tre pjesëmarrësit e tjerë janë skualifikuar. Ndër arsyet e dhëna për mospërmbushjen e kërkesave të tenderit, bie në sy fakti që operatori “Abcom” ka paraqitur dy oferta, duke e skualifikuar atë automatikisht.
Po ashtu vëmë re edhe arsyet për skualifikimin e operatorit “Telecom”, i cili rezulton me detyrime tatimore, nuk ka dorëzuar bilancin e vitit 2016, si edhe nuk ka dorëzuar vërtetimin e shlyerjes së energjisë elektrike.
Kështu, fitues i tenderit është shpallur “Albtelecom”, i cili do të ofrojë shërbimin e internetit me shpejtësi ngarkimi/shkarkimi 6Mbitps/1.5Mbitps për 734 shkolla dhe shërbimin me shpejtësi 12Mbitps/3Mbitps për 375 shkollat e tjera.
Aktualisht shërbimi i internetit në arsimin parashkollor ka përfunduar kontraktualisht dhe marrja e këtij shërbimi është konsideruar si e nevojshme nga Ministria. Operatori fitues do të ofrojë aksesin në internet deri në fund të vitit 2018.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.