Tentoi të vidhte paratë e kushërirës së tij – Policia sekuestron shumën në lek, euro, paund dhe bizhuteri / Shpallen në kërkim dy shtetas

Policia e Shtetit nëpërmjet një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare ka bërë me dije se është zbardhur nga Komisariati i Policisë Nr. 4 dhe dokumentimi me prova ligjore, vjedhja e një shume të konsiderueshme parash dhe bizhuterish floriri.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar në provat ligjore të grumbulluara, bënë shpalljen në kërkim të shtetasve:
– L. D., 36 vjeç banues në Tiranë, dhe Q. H., 26 vjeçe, banuese në Peshkopi, Dibër.
36-vjeçari, pasi ka marrë informacion se kushërira e tij, shtetasja K. Gj., do të udhëtonte nga Peshkopia në drejtim të Tiranës, me një valixhe me para, në bashkëpunim me të dashurën e tij, shtetasen Q. H., ka organizuar vjedhjen e valixhes.
Shtetasja Q. H. është paraqitur si udhëtare në linjën e furgonit me të cilin do të udhëtonte shtetasja K. Gj. dhe pasi ka udhëtuar disa orë, ka zbritur në Tiranë, duke marrë edhe valixhen, me pretendimin se ishte e saj.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1.400.000 lekë të rinj, 2770 euro, 340 paund dhe disa bizhuteri floriri.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të metejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.