Tërmeti, Prokuroria nis hetimet/ Nisin procedimet për qindra pallate, në sitë ndërtuesit e zyrtarët shtetërorë përgjegjës!
Prokuroritë e Tiranës, Durrësit e Krujës kanë nisur zyrtarisht procedimet për të zbardhur shkaqet dhe shkaktarët e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Hetimi i parë po kryhet mbi objektet e shembura që sollën humbjen e jetëve të banorëve, i dyti për dëmtimet e renda të shumë ndërtimeve në Durrës e Thumanë, ndërsa i treti për godinat e dëmtuara në kryeqytet. Bëhet me dije se në të tre procedimet, Prokuroritë kanë marrë edhe mostra të materialeve që janë përdorur tek ndërtimet, si betoni apo hekuri. Hetimi do të përfshijë qindra objekte në të tre qytetet.
Konkretisht Prokuroria e Durrësit çështjen e ka regjistruar më 29 nëntor, tre ditë pas tërmetit shkatërrimtarë që mori shumë jetë njerëzish. Në këtë dosje do të hetohen edhe nëpunësit shtetëror të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve. Çështja është regjistruar për veprat penale; “Ndërtim pa leje”, dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 199/a, 3 dhe 248 të kodit penal.
Po kështu Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryesisht hetimet në lidhje me situatën e krijuar nga fatkeqësia natyrore. Hetimi ka si objekt kryerjen sqarimin e rrethanave që kanë çuar në pasojat e ardhura. Veprat penale që po hetohen janë ato të ‘Shpërdorim detyre’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ku do hetohet për organet që kane miratuar lejet e ndërtimit dhe nëse ato janë dhënë në mbështetje të ligjit, si dhe nëse ndërtuesit kanë respektuar lejen e marrë, ‘Ndërtim i paligjshëm, parashikuar nga neni 199/a i Kodit penal, ‘Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm, neni 199/b i Kodit Penal’. Në lidhje me këtë hetim Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka ngritur një grup hetimor.
Ndërsa për sa i përket Prokurorisë së Rrethit të Krujës procedimi penal është regjistruar për akuzën ‘Shpërdorimit të detyrës’, ‘Ndërtimit pa leje’ dhe ‘Falsifikimit të dokumenteve për ndërtimet’ në zonën e Krujës, kryesisht në Thumanë dhe Bubq.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.