Tjetër ditë zjarresh – Në të gjithë vendin digjen 37 hektarë e qindra rrënjë ullinj

Tetë vatra të reja zjarri në Shkodër, Vlorë, Berat, Tiranë, Gjirokastër dhe Fier kanë djegur rreth 37 hektarë tokë në 24 orë të tjera të një sezoni veror shumë të nxehtë dhe problematik në të gjithë vendin.
Operacionet e Emergjencave Civile kanë vijuar, duke angazhuar 105 zjarrfikës me 11 automjete, si edhe 21 forca vullnetare e helikopterë.
Zjarri më i madh ka rënë në fshatin Beden të Kavajës, ku flakët kanë djegur 22 hektarë me shkurre e ferra, si edhe 200 rrënjë ullinj e 40 pisha të reja.
Flakët kanë qenë problematike edhe në qarkun e Fierit, ku në Patos 7 ha tokë me shkurre e ferra, si edhe rreth 200 rrënjë ullinj e 50 rrrënjë dardha janë djegur. Po në këtë qark, në fshatin Hamil zjarret kanë djegur një sipërfaqe prej 1.5 ha dhe 100 rrënjë ullinj.
Ndryshe nga zjarret e mësipërm, të rënë kryesisht në zona me shkurre, në Shkodër, zjarret në fshatrat Lumzi dhe Lumbardhë kanë rënë në sipërfaqe pyjore, ku para ndërhyrjes së shërbimit zjarrfikës dhe forcave të pyjore, ndihmuar nga vullnetarë të mbështetur nga ajri, zjarri ka djegur 5 hektarë me bredha, pisha e lisë.
Zjarre më të vegjël janë regjistruar edhe në Vlorë, Berat e Gjirokastër. Në fshatin Memias, Berat nga zjarri u dogj një sipërfaqe me shkurre dhe ferra rreth 1.2 ha, Ndërkohë në Dukat në flakë u përfshinë 1 dynym me shkurre e ferra, dhe e njëjta situatë ndodhi edhe në Vrisera të Gjirokastrës duke u djegur 2 dynym tokë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.