Transfertë e paligjshme e parave – Policia: Sekuestrohen 34.750 euro, procedohet penalisht poseduesi
Policia Kufitare, në bashkëpunim me Strukturat Doganore Antitrafik, parandalon dhe godet një tjetër rast të tentativës për transfertë të parave në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas njoftimit të policisë janë sekuestruar 34.750 euro, dhe është proceduar penalisht poseduesi.
Gjatë kontrollit në dalje të Republikës së Shqipërisë, në një automjet që drejtohej nga shtetasi S. S., 36 vjeç, banues në Berat, policia kufitare gjeti të fshehura në një çantë një shumë prej 34.750 eurosh të cilat ky shtetas tentoi t’i kalonte në Greqi pa i deklaruar para autoriteteve doganore.
Në vendngjarje kanë mbërritur specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, të cilët kanë bërë sekuestrimin e shumës së eurove në cilësinë e provës materiale dhe në përfundim të veprimeve kanë proceduar penalisht shtetasin S. S., për veprën penale “Mosdeklarim i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.