Transparencë në universitete! Portal i dedikuar, Rama: Financim masiv për universitetin
Në përgjigje të kërkesave të studentëve, qeveria ka prezantuar portalin e transparencës universitare, u-transparenca.al, si një instrument për garantimin e kontrollit dhe rritjen e transparencës në mënyrën si shpenzohen paratë në arsimin e lartë.
“ Kemi vënë në funksion të studentëve një instrument garancie që të përdoret nga universitet dhe të monitorohet nga qeveria. Shpresoj që të monitorohet dhe nga vetë studentët. Portal jep mundësinë e një pasqyre të dhënash shumë të detajuara, buxheti do publikohet në të gjithë elementët e vet” tha Rama.
Ndërkaq, kryeministri njoftoi se brenda këtyre dy viteve do të investohet masivisht thuajse në çdo universitet si në infrastrukturë ashtu edhe në laboratorë.
“Deri në fillim të vjeshtës do hartojmë planin konkret të investimit të projekteve dhe për të bërë projekte aty ku na mungojnë. Do të kryejmë investimin më të madh se sa është investuar në 30 vjet për infrastrukturën, laboratorët për universitetin. Brenda dy viteve një kantier në çdo universitet dhe paralelisht po punojmë me infrastrukturën e konvikteve” tha Rama.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se do të hapet thirrja e dytë për punësimin e studentëve ekselentë dhe këtë herë do të jenë pjesë ata që kanë mbaruar studimet në dy vitet e kaluara. Kreu i qeverisë theksoi se po punohet edhe për disa nga kërkesat e tjera të adresuara nga studentët.
Elisabeta Dosku/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.