Tregtia e jashtme, në 4 vjet Shqipëria përmirëson bilancin – Rritja e eksporteve tejkalon importet

Eksportet nga viti 2012 deri në vitin 2016 kanë patur një rritje mesatare prej 4,6%, ndjekur nga rritja e ndërmarrjeve eksportuese me 7,2%, në 2740 ndërmarrje në fund të 2016-ës, krahasuar me 2029 ndërmarrje në vitin 2012. Kjo rritje ka ardhur kryesisht në vitin 2016, kur u rritën me 9,3% krahasuar me vitin e mëparshëm.
Industria vijon të ketë peshën më të madhe në eksportet e mallrave duke zënë 84,5% të totalit të eksporteve. Ky sektor përfshin aktivitetet e industrisë nxjerrëse, përpunuese, të energjisë elektrike dhe ujit dhe për këtë periudhë kanë patur një rritje mesatare prej 3,1%.
Produktet e industrisë përpunuese zënë pjesën më të madhe të eksporteve (80,4%), konkretisht produktet tekstile, produktet e përpunimit të lëkurës dhe produktet e metaleve bazë. Pjesën tjetër të eksporteve e zënë produktet nga minierat dhe nxjerrja (15,1%), energjia elektrike (4%) dhe produktet bujqësore (0,7%).
Sa i takon përqëndrimit të eksporteve të mallrave, gjysma e vlerës totale gjatë kësaj periudhe është dhënë nga 20 ndërmarrjet më të mëdha, megjithëse kjo shifër është ulur në 37,3% për vitin 2016.
Nga ana tjetër, edhe importet kanë patur një rritje të lehtë me 1,4%, ndonëse numri i ndërmarrjeve importuese është rritur mesatarisht me 6,2%. Janë bizneset tregtare ato që kanë importuar në vlerën më të madhe prej 54,4%.
Në industrinë përpunuese, e cila përbën 31,9% të importeve, produktet ushqimore zënë mesatarisht 15,4 %, produktet e koks dhe nënprodukte të naftës të rafinuara zënë 17,2 %.
Gjatë viteve 2012-2016, gjysma e vlerës së importeve është kryer nga 50 ndërmarrjet më të mëdha, por ky përqëndrim është ulur në vitin e fundit.

Italia mbetet partneri tregtar kryesor, teksa eksportet e mallrave në sektorin e industrisë drejt tij janë rritur në vlerën 700 milionë lekë, nga 500 milionë lekë në vitin 2012. Gjatë kësaj periudhe Kosova i ka zënë vendin e dytë si partner tregtar në eksporte Greqisë, ndërsa rritje kanë shënuar dhe eksportet drejt Maqedonisë dhe Kinës.
Varësia e importeve në sektorin e tregtisë nga Italia është ulur, ashtu sikurse nga Greqia, por është rritur nga partnerë të tjerë si Kina, Turqia dhe Gjermania.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.