Tregu bankar – Vrojtimi i BEI: Potenciali i fitimit, mesatar
Tregu shqiptar është sot më pak tërheqës për grupet e mëdha bankare. Sipas një vrojtimi periodik nga Banka Europiane e Investimeve, 71% e grupeve e konsiderojnë Shqipërinë si një treg me potencial “mesatar” dhe me përfitueshmëri më të ulët se grupi në tërësi.
Pritjet mesatare që kanë në drejtim të performancës së tregut shqiptar, sugjerojnë një gatishmëri të ulët për zgjerimin e veprimtarisë përmes blerjes së bankave të tjera në vend. Disa grupe të rëndësishme bankare kanë vendosur të largohen nga Shqipëria, për shkak të strategjive të tyre zhvillimit në një shkallë më të gjerë, por edhe për shkak të rënies së potencialeve të tregut.
Credit Agricole dhe NBG bank i kanë shitur tashmë bankat e tyre në Shqipëri, ndërsa të njëjtën gjë pritet ta bëjnë këtë vit edhe Grupi Bankar i Pireut dhe Societe Generale. Blerësit e interesuar në këtë proces janë nga jashtë Eurozonës, por edhe aktorë lokalë.
Në raportin e fundit të stabilitetit financiar, Banka e Shqipërisë vlerëson se potenciali i zhvillimit të tregut bankar në vend ka nevojë të zgjerohet, që ky treg të mbetet tërheqës për investitorë strategjikë dhe që kontributi i tij në zhvillimin ekonomik të vendit të përmirësohet.
Sipas Bankës së Shqipërisë, me rëndësi mund të jetë përshpejtimi i procesit të adoptimit të standardeve evropiane, në kuadër të veprimtarisë bankare dhe financiare në përgjithësi, duke përmirësuar konkurrueshmërinë e tregut shqiptar për bankat e huaja. Një kontribut në këtë drejtim, sipas Bankës Qendrore, solli miratimi i ligjit “Për ndërhyrjen e jashtëzakonshme” në fund të vitit 2016. Banka e Shqipërisë bën të ditur se është duke punuar edhe në drejtim të adoptimit të disa elementeve të rëndësishme që përmban standardi i Bazel III për procesin mbikëqyrës, për administrimin e rrezikut të likuiditetit dhe të rrezikut sistemik.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.