Greqia pas programit të shpëtimit – Regling: do të ketë mbikëqyrje të ashpër nëse kërkon lehtësim të borxhit
Kreu i fondit të shpëtimit të Eurozonës, Klaus Regling, tha se mënyra se si Greqia do të dalë nga paketa e tretë e ndihmave financiare do lidhet me lehtësimin e borxhit që vendi kërkon. Greqia pritet të përfundojë paketën e tretë të shpëtimit pas 4 muajsh dhe investitorët po monitorojnë se si do të ndodh ky proces. Disa institucione në Europë dhe Greqi kanë bërë të ditur se Athina duhet të kërkojë për një linjë të re të kreditit, por qeveria greke nuk është dakord me idenë.
Vendi kërkon që të vetëfinancohet në tregje pas muajit Gusht, një proces që quhet “dalja e pastër”. Drejtori i Mekanzimit Europian të Stabilitetit, Klaus Regling tha se nuk është e nevojshme që Greqia të kërkojë para shtesë, për sa kohë Qeveria vazhdon me reformat. “Investitorët po monitorojnë me kujdes Greqinë, por nëse vendi vazhdon me reformat, mendoj që do të ketë një dalje të pastër në Gusht”, tha Regling.
Megjithatë, ai paralajmëroi se institucionet ndërkombëtare, që do të monitorojnë progresin e vendit edhe pas fundit të ndihmave, mund të vizitojnë më shpesh Athinën pas Gushtit. Sipas Regling, institucionet europiane ndërmarrin misione të monitorimit 2 herë në vit në vendet që kanë dalë nga program i ndihmave, por në rastin e Greqisë do të ketë 3-4 takime në vit.
Prezenca e kreditorëve ndërkombëtarë është diçka e vështirë për t’i komunikuar popullit grek, që ka qenë në mbikëqyrje që prej vitit 2010. “Nëse Greqia kërkon lehtësim shtesë të borxhit, atëherë mbikëqyrja do të përforcohet”, tha Regling.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.