Tregu financiar pa shenja krize – Interesat e bonove të thesarit bien në nivelet e para krizës
Ndjeshmëria e normave të interesit ndaj krizës së Covid-19 dhe rritjes së borxhit të qeverisë deri tani ka qenë e lehtë dhe yield-et kanë filluar rënien qysh këtë muaj. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se norma e interesit pësoi rënie për të dytin ankand radhazi të bonove 12 mujore, ndërsa pas një periudhe relativisht të gjatë, iu kthyen rënies edhe yield-et e bonove me maturim tremujor.
Bonot 12 mujore zbritën poshtë kufirit të 2% në ankandin e fundit dhe u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 1.93%. Me këto vlera, bonot 12-mujore janë kthyer praktikisht në nivelet e para shpërthimit të krizës së Covid-19, në muajin mars. Ndërkohë, bonot me maturim 3-mujor u shitën me një yield mesatar të ponderuar prej 1.2%, nga 1.54% që kishte qenë në ankandin e muajit maj.
Raportet mes kërkesës dhe ofertës në ankande tregojnë se tregu është mjaft likuid dhe interesi i investitorëve për instrumentet e borxhit qeveritar mjaft i lartë. Kështu, në dy ankandet e fundit shuma e paraqitur nga blerësit në ankand ishte dy herë më e lartë se shuma e shpallur për financim nga qeveria shqiptare.
Sistemi bankar, që është edhe financuesi kryesor i borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare, zotëron likuiditet të bollshëm, edhe falë politikave të mbështetjes së pakufizuar të Bankës së Shqipërisë. Nga ana tjetër, kreditimi për sektorin privat ka pësuar një ngadalësim të kuptueshëm, për shkak të pasigurisë së krizës. Huadhënia ka qenë kryesisht e përqendruar në skemat e garancisë sovrane të ofruara nga qeveria shqiptare. Në këto kushte, bankat kanë
shfaqur një interes në rritje për të blerë titujt e qeverisë shqiptare, duke plotësuar kërkesën e lartë të qeverisë për financim. Të dhënat e qeverisë shqiptare tregojnë se për pesëmujorin deficiti buxhetor u rrit me 27 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky deficit është financuar kryesisht përmes huamarrjes në tregun e brendshëm, ndërsa në fillim të qershorit u realizua edhe emetimi i eurobondit prej 650 milionë eurosh.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.