Tregu i punës në Gjermani – Fuqizohet më tej gjatë Majit, norma e papunësisë bie në 5.2%

Norma e papunësisë në Gjermani shënoi një nivel rekord të ulët gjatë muajit Maj, duke reflektuar tregun e fortë të punës që ka mbështetur ekonominë nëpërmjet konsumit. Numri total i të papunëve, i përshtatur ndaj efekteve sezonalë, ra me 11,000 mijë, në 2.35 milionë, sipas zyrës Federale të Statistikave. Norma e papunësisë ra në 5.2%, që është më e ulëta që prej riunifikimit të vendit.
“Papunësia ka rënë dhe kërkesa për punë është ende e lartë. Trendi rritës i fuqizimit të tregut të punës po vazhdon, pavarësisht ngadalësimit të ritmit në muajt e Dimrit”, deklaroi zyra e Statistikave. Ministri i Punës, Hubertus Heil, ka thënë se kërkon të ulë kontributet e sigurimit të papunësisë me 0.3% në 2.7% të pagave bruto deri në vitin 2019. Kjo do të sillte kursime totale vjetore prej rreth 3.5 miliardë euro për punonjësit dhe punëdhënësit sipas tij. Pjesa më e madhe e 800,000 vendeve vakante të regjistruara në muajin Maj ishin vende permanente, me kohë të plotë, subjekt i kontributeve të sigurisë sociale.
Kërkesa për punëtorë ishte më e madhe në ndërtim, transport magazinim, si dhe kujdes shëndetësor e social. Tregu i fortë i punës pritet të nxisë më tej besimin e konsumatorit dhe shpenzimet e familjeve në ekonominë më të madhe të Europës, ku kërkesa e brendshme ka zënë vendin e eksporteve, si motori kryesor i rritjes.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.