Tregu i sigurimeve – Bien “të mëdhenjtë”, rriten “të vegjlit”
Tregu i sigurimeve këtë vit po shfaqet më i ekulibruar. Kompanitë që kryesojnë tregun kanë një rënie të lehtë krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa një pjesë e kompanive të vogla e kanë rritur pjesën e tregut, sipas primeve të shkruara bruto.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për shtatëmujorin e këtij viti, Sigal ngelet bindshëm në krye të tregut, me 26.55% të primeve të shkruara bruto. Megjithatë, pjesa e tregut të filialit shqiptar të Uniqa Group Austria ka rënë me rreth gjysmë pikë përqindje. Ndjekin Eurosig me 14.38% dhe Sigma Interalbanian me 14.11%. Të dy këto kompani kanë pësuar gjithashtu rënie në pjesën e tyre të tregut krahasuar me një vit më parë.
Në rritje është kompania shqiptare Albsig, që pozicionohet e katërta, me 13.88% të primeve. Krahasuar me një vit më parë, Albsig e ka rritur pjesën e vet të tregut me dy pikë përqindje. Të tjera kompani që këtë vit po rriten janë Ansig, që ka arritur në 6.88% të tregut dhe Atlantik që mban 6.01% të primeve të shkruara bruto.
Sipas origjinës së kapitalit, tregu është i ndarë në mënyrë pothuajse të barabartë mes ndërmarrjeve me kapital austriak dhe atyre vendase. Kompanitë shqiptare e kontrolluar nga sipërmarrësit vendas e kanë reduktuar dominimin e filialeve të Uniqa Group Austria dhe Vienna Insurance Group. Për momentin, kompanitë vieneze ngelen të vetmit investititorë të huaj në këtë treg. I vetmi investitor i huaj që negocioi për të hyrë në treg ishte kompania sllovene Triglav, po që u tërhoq nga blerja e kompanisë Albsig. Përmasat e vogla të tregut dhe varësia e lartë nga produktet e detyrueshme e ka bërë tregun më pak atraktivë për investitorë të rinj.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.