Tregu i sigurimeve – Për 2018 rritja ishte e dobët, ndërsa fitimet ranë
Viti 2018 ishte i zbehtë për tregun e sigurimeve. Rritja e përmasave të tregut për nga totali i aktiveve ishte modeste, ndërsa fitimet rezultuan më të ulëta krahasuar me vitin 2017. Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, totali i aktiveve të kompanive të sigurimit të jo-jetës arriti në 31.5 miliardë lekë, në rritje me 3% krahasuar me fundin e vitit 2017. Në tregun e jetës në veçanti, ecuria ishte edhe më e dobët. Totali i aktiveve pësoi një rënie të lehtë në 3.33 miliardë lekë, nga 3.38 miliardë lekë që ishte një vit më parë.
Për sa i takon rezultatit financiar, shoqëritë e sigurimit të jetës fituan gjithsej 576 milionë lekë, në rënie me 23% krahasuar me vitin paraardhës. Ndërkohë, për kompanitë e jetës rezultati financiar ishte më i qëndrueshëm, me rreth 160 milionë lekë fitim, në rënie me vetëm 4 milionë lekë krahasuar me një vit më parë.
Vitin e kaluar, shoqëritë e sigurimit të jo-jetës u detyruan të rrisnin ndjeshëm shpenzimet për fondin e kompensimit të byrosë shqiptare të sigurimeve. Pagesat përfshinë edhe vlera të mëdha dëmesh të akumuluara prej vitesh. Kjo bëri që shpenzimet totale për dëme të rriteshin me 26% dhe kjo ka ndikuar në rënien e ndjeshme të fitimeve për siguruesit.
Tregu i sigurimeve ngelet një treg i vogël për nga përmasat dhe i mbështetur në pjesën dërrmuese te sigurimet e detyrueshme. Në treg veprojnë tre shoqëri të sigurimit të jetës dhe tetë shoqëri në sigurimin e jo-jetës.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.