Triporti jepet me koncesion – MIE hap garën për kontratën 10-vjeçare, investimi parashikohet në 44.9 mln euro
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur garën e partneritetit publik privat për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e portit të integruar të Triportit në Vlorë. Vlera e parashikuar e projektit është 44.9 mln Euro, ku vetëm vlera e ndërtimit përllogaritet në 38,9 mln euro, ndërsa pjesa tjetër përfshin projektimin dhe mirëmbajtën. Sa i takon burimit të financimit, investimi do te kryhet fillimisht nga koncesionari ndërsa burimet e të ardhurave të koncesionarit do të jenë një pagesë disponueshmërie e pagueshme nga Autoriteti Kontraktues, që është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në dokumentet e tenderit specifikohet se pagesat e disponueshmërisë do të fillojnë te paguhen pas ndërtimit të plotë dhe dorëzimit përfundimtar të objektit dhe jo më parë se viti 2025, teksa kontrata e PPP-së do të ketë një kohëzgjatje prej 10 vitesh. Porti i Integruar ne Triport, Vlorë parashikohet të ndërtohet aty ku aktualisht është porti i peshkimit të këtij qyteti që quhet “Triport”. Ai ndodhet rreth 3 km në veri të Portit të Vlorës, midis terminalit privat të përpunimit të naftës dhe nënprodukteve të saj “Petrolifera Italo-Albanese”, TEC Vlorë dhe Parkut Industrial Vlorë. Porti aktual është i ndarë në dy pjesë, ku në pjesën e brendshme ofron kapacitete për shërbimin e anijeve të peshkimit.
Sipas dokumenteve të tenderit, në këtë pjesë porti është i mbrojtur nga të gjitha anët me dallgëthyes dhe infrastruktura është e amortizuar, duke kërkuar masa emergjente për përmirësime. Ndërkohë që, pjesa e jashtme e portit të peshkimit, është hapësirë e fituar pas ndërtimit të dallgëthyesit. Në zbatim të Vendimit të Këshilli Kombëtar i Territorit në këtë port do të transferohen nga Porti i Vlorës edhe dy shërbime të tjera të cilat janë: Transporti ndërkombëtar i pasagjerëve dhe automjeteve dhe transporti kombëtar e ndërkombëtar i mallrave.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.