Trump me “duar të lidhura” – I “detyruar” të firmosë sanksionet ndaj Rusisë

Shtëpia e Bardhë deklaroi ditën e Dielë se, Presidenti Donald Trump është i hapur për të nënshkruar një ligj që ashpërson sanksionet ndaj Rusisë. Ky njoftim vjen pas dakordësisë javën e kaluar në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve në lidhje me këtë çështje.
Vendimi shënon një prapa kthehu për presidentin amerikan dhe politikën e tij ndaj Rusisë. Demokratët kanë arritur me Republikanët një marrëveshje që parashikon ashpërsim të sanksioneve ndaj Rusisë, Koresë së Veriut dhe Iranit.
Ky ligj i ri do të kufizonte çdo mundësi në dispozicion të Trump për te eliminuar sanksionet ndaj Rusisë. Një burim brenda administratës amerikane pohon për Reuters se, Shtëpia e Bardhë e mbështet plotësisht drejtimin e këtij ligji të ri, por nuk do të japë një vendim përfundimtar deri në momentin që mbi këtë ligj të mos bëhen më ndryshime.
Zyrtarisht edhe drejtori i ri i komunikimit të Presidentit, pohoi të njëjtën gjë, se Trump ende nuk e ka vendosur nëse do ta firmosë ose jo këtë ligj të ri. Por, ai shtoi se, vendimi do të merret shumë shpejt.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.