Trump shkarkon drejtorin e FBI – Pritet negativisht në tregjet financiarë, dollari bie
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donad Trump, shkarkoi nga detyra drejtorin e Byrosë Federale të Hetimit James Comey, që ka udhëhequr hetimin mbi fushatën presidenciale të presidentit për një bashkëpunim të mundshëm me Rusinë për rezultatin e zgjedhjeve.
Trump tha se e shkarkoi Comey mbi trajtimin e emaileve lidhur me kandidaten demokrate Hillary Clinton. Reagim ka patur edhe në tregjet financiarë, ndërkohë që dollari ra prej shqetësimeve se lëvizja e ditës së djeshme mund ta bëjë kalimin e planit të tij tatimor më të vështirë.
Rezultatet pozitive të kompanive për tremujorin e parë kanë rritur titujt e kapitalit në të gjithë botën dhe perspektiva për ulje të taksave në SHBA ka dhënë nxitje të mëtejshme.
Megjithatë, heqja e menjëhershme drejtorit të Byrosë Federale të Hetimit solli një valë të re të paqartësive politike në tregje, pas fitores së Emmanuel Macron që dukej se kishte fshirë perspektivën e trazirave të mëdha, të paktën në Europë.
Analistët thonë se ky përbën një lajm më shumë politik se sa mbi tregjet, megjithatë pasiguria ekziston. Të gjithë indekset e titujve të kapitalit në Europë e nisën sesionin në performancë negative.
Dollari ra kundër jenit japonez nga 114.3 në 113.6 gjatë përfundimit të sesionit tregtar aziatik. Kundrejt Euros lëvizjet ishin të limituara në 1.0890. Ari që ecën në korrelacion negative me titujt e kapitalit në momentet e rreziqeve, u rrit nga 1215 dollarë për onz në 1225.3.
“Është e nevojshme që të gjejmë një lidership të ri për Byronë Federale të Hetimit që të rikthejë besimin e publikut në misionin e zbatimit të ligjit”, nënvizoi Trump në një letër drejt Comey, të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.