Turizmi në Shqipëri – Klosi: Sfida jonë 10 milionë, kërkesë urgjente për njerëz të kualifikuar
10 milionë turistë të huaj brenda një periudhe të shkurtër kohe është edhe sfida e turizmit shqiptar. Deklarata ka ardhur nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, gjatë Festivalit të Inovacionit, i cili e cilësoi atë të mundshme bazuar në statistikat në rritje të turizmit. Ndërkohë, shtoi më tej se sezoni i ardhshëm do të sjellë 7 milionë turistë edhe nga destinacione të reja.
“Ne në fakt si turizëm kemi një sfidë, sfidën e re të 10 milionë turistëve. Është një sfidë e cila do të duhet të arrihet shumë shpejt, është një sfidë e cila mbase kohë më parë as që nuk diskutohej por 10 milionë turistë pothuajse është një realitet. Në vitin 2018 vendin tonë e vizitojnë mbi 6 milionë turistë që janë 1 milionë më shumë se një vit më parë, sepse 5 milionë ishin vjet. pra presim që të shkojmë 10 milionë në një kohë të shkurtër duke dyfishuar numrin e turistëve që kanë hyrë në Shqipëri vitin e kaluar”, tha Klosi.
Ndërkohë, shtoi më tej se kjo sfidë mund të arrihet vetëm kur shoqëria shqiptare të kuptojë se sektori i turizmit është një mekanizëm i qendrueshëm dhe se ai duhet të jetë gjithëvjetorë. Po ashtu, theksoi se vendi ka nevojë për shumë njerëz të aftë dhe të kualifikuar që shërbejnë në turizëm.
“Ne jemi realisht në një kërkesë urgjente për më shumë mendje të ndritura, për kontributin e të gjithë juve, të rinjve e të rejave apo kompanive që duan të merren me biznesin e teknologjisë së informacionit në fushën e turizmit. Shqipëria është një destinacion tashmë i pëlqyer”, u shpreh ministri.
Kreu i Turizmit dhe Mjedisit theksoi se mirëpret çdo ide biznesi nga të rinjtë për të kontribuar në të ardhmen e turizmit.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.