Kreditë me probleme në Eurozonë, Draghi: Ka ende punë, po frenojnë huadhënien dhe përfitueshmërinë
Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, tha se bankat e Eurozonës duhet të ulin stokun e kredive të këqija mëtej, në mënyrë që të nxitet huamarrja dhe të përmirësohet përfitueshmëria.
Kjo sipas tij, do t’i bëjë institucionet më të tërheqshme ndaj blerësve.
“Bankat me nivele të larta të aktiveve të këqija të trashëguara nga kriza financiare, kanë hasur vështirësi në rritjen e huadhënies ndërkohë që aftësia e tyre për të shtuar kapitalin është limituar. Paralelisht, përfitueshmëria e ulët dhe pasiguria në lidhje me vlerësimin e këtyre aktiveve të vjetëruara, ka reduktuar mundësitë e blerjeve dhe shkrirjeve përtej kufijëve”, tha Mario Draghi.
Ulja e stokut të kredive jo-performuese ka qenë një nga prioritetet kryesore të Bankës Qendrore Europiane.
Kreditë me probleme kanë rënë me thuajse 30% nga kulmi prej 1 trilionë euro, megjithatë niveli qëndron shumë më i lartë krahasuar me Shtetet e Bashkuara.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.