“Tym i zi” në negociatat Vetëvendosje-LDK! Çfarë po ndodh? Shkojnë pa marrëveshje në seancë plenare
Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sot në seancën konstituive pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor. Por, mbajtja e seancës dhe ngritja e Kuvendit është vënë në pikëpyetje pasi që dy partitë që synojnë formimin e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk kanë arritur ta finalizojnë marrëveshjen për koalicionin qeverisës.
“Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, është deklaruar se nuk e preferon konstituimin e Kuvendit pa arritjen e marrëveshjes për qeverinë. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka konfirmuar të mërkurën se Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur marrëveshje për koalicion qeverisës. Ai nuk i ka shpallur të përfunduara negociatat për qeverinë e re, por ka thënë se në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje dhe LDK shkojnë pa marrëveshje.” shkruan radio “Evropa e Lirë”.
Ligjërisht, Kuvendi mund të konstituohet edhe pa marrëveshjen për qeverinë, duke zgjedhur kryetarin dhe kryesinë e re. Por, nga aspekti politik, implikimet besohet se janë të shumta. Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka konfirmuar se pavarësisht faktit që Vetëvendosjes si fituese e zgjedhjeve i takon posti i kryetarit të Kuvendit, kjo pozitë mund t’i lihet LDK-së si pjesë e marrëveshjes dhe kompromiseve për koalicion qeverisës.
Mosmarrëveshjet rreth koalicionit qeverisës midis LVV-së dhe LDK-së ndërlidhen me postin e presidentit, i cili do të duhet të zgjidhet në pranverën e vitit 2021.
Aktualisht, sipas partive në negociata, janë dy skenarë për seancën konstituive. Skenari i parë është ai i konstituimit të këtij institucioni, por që do ta komplikonte edhe më shumë arritjen e marrëveshjes për qeverinë, kurse i dyti, ai i shpalljes së pauzës deri në arritjen e marrëveshjes LVV-LDK. Skenari i dytë ishte aplikuar më 2014, kur konstituimi i Kuvendit kishte zgjatur me muaj.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton që Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive.
Pas konstituimit të Kuvendit, pason procedura tjetër, ajo e formimit të Qeverisë së Kosovës.
Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Nëse përbërja e propozuar e qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.
Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.
Artikulli origjinal:
https://www.evropaelire.org/a/seanca-konstituimi-i-kuvendit-/30344520.html
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.