Ulet numri i turistëve për muajin Korrik – 146 mijë kosovarë më pak, rritje për të gjithë pjesën tjetër

Gjatë muajit korrik është ndalur ecuria pozitive në numrin e turistëve që vizituan Shqipërinë gjatë 2017-ës.
Sipas të dhënave të INSTAT, shtetasit e huaj që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë ka qenë rreth 864 mijë individë, ose 0.1 për qind më pak se një vit më parë.
Arsyeja kryesore që ka ndikuar në këtë performancë të dobët ka të bëjë me faktin se vizitorët kosovarë janë pakësuar ndjeshëm. Janë rreth 146 mijë shtetas nga Kosova më pak krahasuar me Korrikun e vitit te shkuar.
Shkak për këtë ulje të numrit të vizitave mund të jetë edhe situata politike në Kosovë e cila mund t’i ketë detyruar shtetasit të shtyjnë pushimet e tyre. Sakaq, për Gushtin ky numër pritet të rikthehet në rritje, siç raportohet nga radhët e gjata në pikat e kalimit kufitar.
Por pavarësisht pakësimit të numrit të shtetasve kosovarë, gjatë kësaj periudhe në Shqipëri është rritur ndjeshëm numri i vizitorëve nga e gjithë bota.

Shtetasit polakë gjatë muajit korrik kanë arritur në 31.202 mijë individë, plot 13,667 vizitorë më shumë se një vit më parë. Ndërkohë edhe numri i shtetasve italianë është rritur me 37 për qind, në 51 mijë turistë.
Kjo rritje pozitive është pasuar edhe nga shtetasit maqedonas të cilët e vizitojnë gjithmonë e më shpesh vendin tonë. Pas shtetasve kosovarë ata mbajnë vendin e dytë me 95.182 turistë, duke u rritur me 19.6% krahasuar me Korrikun e 2016-ës.
Për sa i takon mënyrës së udhëtimit të vizitorëve, rrugët tokësore mbeten kryesoret për shkak të turistëve nga rajoni të cilët vijnë me automjetet e tyre. Megjithatë shtimi i turistëve nga vendet e tjera të botës ka nxitur rritjen e fluturimeve me 27.4 për qind dhe atë të individëve që vijnë me rrugë detare me 25.6 për qind.
Viola Hydi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.