Ultimatum 15 ditor për pastrimin e akseve kombëtare nga tabelat dhe aktivitetet e paligjshme – Pas skadimit të afatit, aksion i tre ministrive

Të gjithë individët apo subjektet që kanë vendosur në mënyrë të paligjshme tabela apo sende të tjera që bëhen pengesë apo shpërqendrim në akset kombëtare të vendit, brenda dy javësh duhet t’i heqin ato vullnetarisht.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka dhënë 15 ditë afat për heqjen e objekteve që cënojnë sigurinë rrugore. Ministri foli nga mbikalimi i Shkozetit, ku në anët e këtij aksi kryhet një veprimtari e paligjshme, e cila është kthyer në shkak për aksidente.
“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve, që edhe për shkak të neglizhencës, aktiviteteve të paligjshme të akumuluara gjatë viteve, t’i çmontojnë vetë të gjitha këto struktura brenda dy javësh. Brenda 15 ditësh i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që kanë aktivitete buzë rruge, struktura, tabela, aktivitete shitjesh, struktura të ngritura që shpeshherë bllokojnë pamjen e sinjalistikës rrugore, t’i çmontojnë vetë ndryshe do përballen me forcën e ligjit”, u shpreh Gjiknuri.
Pas skadimit të afatit, strukturat shtetërore do të ndërhyjnë për spastrimin në një aksion të koordinuar mes Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit të Kontrollit të Territorit, si edhe tre ministrive, asaj të Brendshme, MIE dhe Ministrisë së Mjedisit.
Aktualisht, sipas Gjiknurit, ka nisur një proces për evidentimin e më pas fotografimin e objekteve të paligjshme. Në rast se nuk bëhet heqja vullnetare, u paralajmërua se për shkelësit do të zbatohen masat përkatëse ligjore, ndërsa do t’u faturohen edhe shpenzimet e aksioneve.
Angelo Haruni/SCAN
15 ditë kohë që çdokush që ka zënë në mënyrë të paligjshme nyjet e akset kombëtare me objekte apo tabela që cënojnë sigurinë rrugore ti largojë ato vullnetarisht. Me skadimin e këtij afati, strukturat shtetërore do ndërhyjnë për të bërë pastrimin e plotë të akseve, në zbatim rigoroz të Kodit Rrugor
Posted by Damian Gjiknuri – Faqja Zyrtare on Monday, September 18, 2017
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.