Unaza e Madhe, prishen 317 objekte – ALUZINI do skualifikojë 163 objekte, trajtim me bonus qiraje
Objektet që janë në proces legalizimi e që preken nga zbatimi i projektit të Unazës së Madhe në Tiranë do të skualifikohen, ndërkohë që banesat e tyre do të shemben.
Pas protestave të ditëve të fundit institucionet përgjegjëse kanë dalë në një deklaratë për media, duke saktësuar se janë 317 objekte të cilat do të duhet të prishen, por 163 prej tyre nuk do të mund të shpronësohen, pasi nuk disponojnë dokumentet e pronësisë.
Ndërkaq, familjet që do skualifikohen nga ALUIZNI do të trajtohen me bonus qiraje, përmes një procedure të posaçme e cila nuk parashikon verifikimin e të ardhurave sikurse kërkon procedura standarde.
Ndërtimi i Unazës së Madhe është konsideruar si një nga projektet më të rëndësishëm infrastrukturorë të kryeqytetit, i cili pritet të lehtësojë trafikun dhe të krijojë një akses më të qëndrueshëm në rrugë për rreth 80 mijë banorë të zonës së Astirit.
Kosto totale kap vlerën e 26.5 miliard lekë, ndërkohë që kreu i ARRSH-së paralajmëroi rishikimin e projektit për segmentin sheshi Shqiponja-Shkozë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.