Universitetet, shpallen listat e fituesve – Kule: Ekonomiku 400 vende bosh, do regjistrohen të gjithë maturantët
Katër fakultete ai ekonomik, juridik, shkenca sociale dhe gjuhët e huaja, shpallin listat e maturantëve fitues për të vazhduar studimet e larta.
Në një konferencë për shtyp dekani i fakultetit ekonomik Dhori kule lajmëroi se pavarësisht se fakulteti ekonomik ka qenë më i kërkuari ku vetëm për degën administrim biznes u regjistruan 2416 kërkesa, ka ende 400 vende bosh në të gjitha degët duke i bërë thirrje maturantëve të presin fazën e dytë të regjistrimit
“Fakulteti i Ekonomisë ka katër degë, edhe sikur të regjistrohet të gjithë fituesit, mbeten rreth 400 vende bosh. Të gjitha ata, kur të fillojë procesi i regjistrimit ne datën 29. Meqenëse procedurat janë 48 orëshe, nuk duhet të shqetësohen, nuk duhet ti kap paniku se u iku radha dhe të shkojnë të regjistrohen atje ku nuk kanë dëshirë të parë si degë. Kushdo që ka preferencë degë të parë të ekonomisë, të pres se do t’iu vijë radha”.
Lidhur me fituesit Kule bëri të ditur se listat do të shpallen paraprakisht on line, në faqen e fakultetit. Dekani shtoi se regjistrimet nisin në datën 29 gusht dhe fakulteti do të ofroj shërbim pa kufizim, duke filluar nga ora 8 e mëngjesit.
“Kush është i interesuar, në faqen online të fakultetit të ekonomisë do të jenë listat e fituesve, të renditura sipas degëve. Kush është me mesataren 7.5 të pres pasi do të jetë më shumë mundësi pjesë e fakultetit të Ekonomisë”.
Edhe studentet që nuk janë shpallur fitues në fazën e parë në fakultetin e juridikut kanë mundësi të përzgjidhen në fazën e dytë. Dekani i fakultetit juridik Artan Hoxha lajmëron për 350 vende të lira.
“Ne kemi riregjistruar në fazën e parë vitin e shkuar gati 60 për qind të studentëve që kërkonin të ishin pjesë e fakultetit të Juridikut. Domethënë nga 660 ne kemi riregjistruar 400 studentë. Nëse sivjet do të regjistronim 400 studentë, sikur të ecim me të njëjtin trend, por që mund të jetë edhe më i lartë, gjithsesi ne nga mbetet 300 deri në 350 vende të paplotësuara”.
Hoxha bëri me dije se data 15 shtator është afati për të gjithë ata studentët të cilët vendosin të çregjistrohen nga një degë e caktuar, për të vijuar regjistrimin në fazën e dytë në atë degë që duan.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.