Uplift Albania 2019- Credins Bank mbështet akseleratorin e suksesshëm ndërkombëtar
Uplift Albania, një program akselerimi në mbështetje të ekosistemit të inovacioneve dhe startup-eve vjen për të parën herë në Shqipëri. Sipërmarrës dhe iniciatorë nga Shqipëria dhe i gjithë Ballkani, do të mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e një programi 6 javor, në të cilin do të mësojnë se si t’u drejtohen investitorëve, apo të përmirësojnë modelin e tyre të biznesit, nën udhëheqjen e mentorëve të suksesshëm nga e gjithë bota.
Banka Credins, një bankë me vizion inovativ dhe e fokusuar në mbështetjen e projekteve që sjellin risi në fushën e teknologjisë, e veçanërisht në atë të sektorit bankar, ka demonstruar mbështetjen e saj edhe për programin Uplift Albania.
“Përshëndetje të gjithëve, faleminderit që u bashkuat në Up Lift Albania. Jemi shumë të lumtur që po e fillojmë këtë takim në Tiranë, me mbështetjen e kolegëve tanë nga Sllovakia, Sovva, Civitta dhe me mbështetjen financiare të SlovakAid, agjenci sllovake për zhvillimin ekonomik dhe së fundmi, me mbështetjen financiare nga Credins Bank. Mirëseerdhët të gjithë dhe faleminderit që u bëtë pjesë e këtij takimi ” tha Kushtrim Shala, nga ICTS Media, në hapje të takimit.
Eventi hapi dyert për dhjetëra sipërmarrës të rinj, të cilët patën mundësinë të njiheshin më mirë me programin dhe me hapat që duhet të ndjekin për t’u bërë pjesë e tij.
“Studioj juridik, kam një biznes i cili është startup dhe të merrja pjesë në uplift ishte një mundësi shumë e mirë jo vetëm për të pasur mundësi që të kem mentor, por edhe për të përmirësuar idenë dhe duke komunikuar me njerëz që kanë dije me këtë fushë. Do aplikoj sepse sot ishte dita informuese, kam një ide dhe dua ta vë në zbatim dhe ta shohim si funksionon” u shpreh Reina Mulita, pjesëmarrëse gjatë takimit.
Aplikimet për t’u bërë pjesë e Uplift Albania kanë qenë të shumta, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia apo Kroacia. Pas fazës së parë, Uplift Albania do të përzgjedhë startup-et më premtuese, për t’i përgatitur drejt rrugëtimit final.
“Nëse dëshironi të mësoni ta shtyni veten dhe të dilni jashtë nga zona e komfortit, gjeni investime, mentor dhe mësoni si të rriteni. Është mundësi fantastike” tha Michael Laco nga Civitta Slovakia, për të gjithë startup-et që janë të interesuar.
Falë partnerëve, programi i akselerimit me vlerë mijëra euro për një ekip nuk do të ketë asnjë kosto regjistrimi, si dhe nuk ndryshon asgjë në pronësinë e kompanisë.
“Në këtë akselerator ato do të përfitojnë eksperiencat nga mentorët me përvoje shumë të madhe ndërkombëtare, do të përfitojnë nga investitorë potencialë të cilët do të investojnë deri në 50 mijë euro dhe gjithashtu në këtë program të gjithë startup-et që do të konkurrojnë, përveçse do të përfitojnë benefitet e edukimit të një akselerimi, përshpejtimi të ideve të tyre, ato do të konkurrojnë edhe për një çmim final që është 3000 euro” shtoi më tej Kushtrim Shala, nga ICTS Media.
Pas organizimit të eventit hapës në Tiranë, Uplift Albania do të zhvillojë takimin e radhës prezantues në Kosovë, për të shkuar më pas në Maqedoninë e Veriut.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.