Vendimet, Rama: Thethi Qendër Historike, japim 84 bursa për nxënësit e shkollës profesionale
Shpallja e Thethit Qendër Historike si dhe dhënia e 84 bursa për nxënësit e shkollës profesionale, ishin dy nga vendimet e marra nga mbledhja e qeverisë në Shkodër.
Rama tha se gjithashtu është miratuar edhe rregullorja për ruajtjen dhe promovimin sa më të mirë të Thethit.
“Vendimi për shpalljen e qendrës historike te Thethit dhe zonën e mbrojtur përreth saj, një zotim i bërë në fushatë i cili lidhet me domosdoshmërinë për të fokusuar më shumë burime financiare për gjithë atë zonë të mrekullueshme duke filluar nga rindërtimi i rrugës së Thethit. Bashkëlidhur me këtë vendim është miratuar edhe rregullorja për mbrojtjen, konservimin dhe administrimin e vlerave artistiko-kulturore të qendrës dhe gjithë asaj zone që vihet në mbrojtje. Po ashtu në rregulloren e miratuar përcaktohet edhe modaliteti i bashkëpunimit me Bashkinë Shkodër për ruajtjen dhe promovimin sa më të mirë të vlerave turistike, historike dhe kulturore të zonës së Thethit”.
Një tjetër vendim në kuadër të nxitjes së arsimit profesional, ishte dhënia e 84 bursa nga qeveria për nxënësit e një shkolle profesionale në Shkodër.
“Vendim tjetër me rëndësi, është ai i miratimit të bursave për nxënësit e shkollës së mesme profesionale këtu në Shkodër, e cila është një shkollë me një reputacion të njohur pozitiv. Në total janë 84 bursa që qeveria do t’ua akordojë nxënësve të dalluar dhe atyre që vinë nga familje me vështirësi ekonomike”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.