Vendimi i fundit/ Rregullat e reja për ankandin publik – Mallrat për të cilat përdoret procedura me negocim, pa shpallje paraprake
Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundmi ndryshimet në vendimin për rregullat e ankandit publik.
Konkretisht, në rregullat e ankandit publik, miratuar me vendimin nr.1719, datë 17.12.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat, si më poshtë: “Pas paragrafit të fundit të pikës 4, të kreut IV, “Llojet dhe përzgjedhja e procedurës”, shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: Procedura me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të ankandit”, thuhet në vendim.
Më tej specifikohet se kur do të përdoret kjo procedurë:
a) Kjo procedurë përdoret vetëm në rastet e parashikuara në nenin 20/1, të ligjit nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar.
b) Autoriteti shitës përdor procedurën me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të ankandit, për mallrat e konfiskuara dhe të administruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit, natyra e të cilëve nuk lejon zbatimin e afateve të përcaktuara në nenin 28, të ligjit nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar, dhe përcaktimin e çmimit të plotë, në veçanti:
– të shitjes së gjësë së gjallë;
– të shitjes së mallrave të konfiskuara (fruta, perime, bulmet, mish dhe çdo mall i këtij lloji) që ndryshojnë natyrë në një kohë relativisht të shkurtër apo që mund të jenë në prag skadence dhe që është i domosdoshëm tjetërsimi i tyre.
c) Urdhri për ankand, siç parashikohet në kreun V, shkronja “ç”, e pikës 5, e këtyre rregullave, përcakton edhe arsyet e përdorimit të kësaj procedure.
ç) Afati kohor minimal, për dorëzimin e ofertave në këtë procedurë, është 3 ditë nga data në të cilën është dërguar ftesa për ofertë kandidatëve.”.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave procedura me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të ankandit, nuk duhet të kalojë 3 ditë. Ky vendim i cili përcakton rregullat e reja të ankandit, do të hyjë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.