Vendosja e maskave pas pandemisë / Fauci: Kemi shmangur gripin stinor këtë vit prej ruajtjes nga Covid

Këshilluesi mjekësor i Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci, tha se njerëzit mund të vendosin që të veshin maska gjatë stinëve të caktuara, kur sëmundjet e frymëmarrjes janë më të theksuara. “Mendoj që njerëzit u mësuan me vendosjen e maskave. Nëse shohim të dhënat, sëmundjet e frymëmarrjes janë larguar, këtë vit nuk ka patur sezon të gripit , për shkak se njerëzit po mbroheshin nga Covid-19”- tha Fauci.
Komentet e tij vijnë në më pak se një muaj pasi administrata e Biden lajmëroi zbutje të udhëzimeve federale mbi shëndetin publik, për veshjen e maskave në ambiente të jashtme. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandon që njerëzit e vaksinuar plotësisht mund të marrin pjesë në mbledhje të vogla në ambiente të jashtme pa vendosur maskë. Agjencia vazhdon të rekomandojë që njerëzit e vaksinuar plotësisht të vendosin maska në zona të populluara. Ekspertët mjekësorë thonë se Covid nuk do të zhduket dhe njerëzit do të duhet të mësojnë të bashkëjetojnë me të. Megjithatë, rreziku i virusit është ulur ndjeshëm për shkak të vaksinimit dhe imunitetit nga personat që e kanë mposhtur virusin. Deri në Fundjavë, mbi 45% e popullsisë në SHBA kishte marrë të paktën 1 dozë të vaksinës dhe 33.9% ishin vaksinuar plotësisht.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.