Vetëm 1837 biznese të çregjistruara – Covid-19/ Në 5 muaj, 4300 aplikime për regjistrim subjektesh

Pavarësisht periudhës së vështirë që po kalojnë bizneset shqiptare për shkak të masave të marra nga qeveria për frenimin e përhapjes së coronavirusit, numri i aplikimeve për çeljen e një subjekti të ri është i konsiderueshëm. Sipas të dhënave zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit, të siguruara nga TV SCAN, për periudhën 5 mujore, nga 6 Janari deri më 5 Maj 2020, rezultojnë të miratuara 4292 aplikime për regjistrim biznesi.
Nga ana tjetër, ndryshe nga sa ishin pritshmëritë, numri i bizneseve që kanë hequr dorë nga aktiviteti, pavarësisht bllokimit total 2 mujor është tejet i ulët. Në total rezultojnë 1837 aplikime për çregjistrim biznesi në 5 mujor. Duke filluar nga koha kur qeveria mori masa drastike kundër Coronavirus, shërbimet e Qendres Kombëtare të Biznesit janë ofruar vetëm on line me qëllim shmangien e kontaktit fizik midis qytetarëve dhe punonjësve.
Nismë kjo që ka hyrë në fuqi që me 1 Janar 2020, si një ndër reformat e qeverisë për dixhitalizimin e shërbimeve, por që një pjesë e konsiderueshme e subjekteve zgjidhnin që t’i kryenin shërbimet në sportele duke u asistuar nga punonjësit e këtij institucioni.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.