Vetting-u, në krizë Kushtetuesja – Një tjetër Gjyqtare drejt shkarkimit për pasurinë e profesionalizimin
Kriza e Gjykatës Kushtetuese duket se është e destinuar të thellohet edhe më tej, duke qenë se një tjetër anëtare e saj rrezikon të shkarkohet nga Vetting-u. Ka qenë radha e gjyqtares Altina Xhoxhaj të paraqitej para Trupës Gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për rivlerësimin e pasurisë, profesionalizmit dhe integritetit personal.
Sipas vlerësimeve të këtij Komisioni, Xhoxhaj nuk justifikon blerjen e një apartamenti 101 metra katrorë në Tiranë, dhe një tjetër apartamenti bashkë me 221 metra katrorë truall në Gjirin e Lalzit. Gjithashtu, për vitet 2003-2004, deklarimet e të ardhurave rezultojnë të pasakta pasi ato nuk justifikojnë një shumë parash prej 4 milionë lekësh.
Ndërkohë që nuk është vetëm pasuria ajo që rrezikon ndërprerjen e karrierës së gjyqtares Altina Xhoxhaj. Në adresë të saj ka ardhur një ankesë nga një qytetar me inicialet BC, i cili fillimisht ishte dënuar nga babai i Xhoxhajt, edhe ai gjyqtar. Shtetasi më fjalë më pas është ankimuar në Kushtetuese, ku është rrëzuar nga vetë gjyqtarja Altina Xhoxhaj që ka shqyrtuar çështjen.
Duke vijuar në aspektin professional, Komisioni i Vetting-ut ka sjellë në vëmendje edhe disa vonesa të afateve të dosjeve në gjykim.
Xhoxhaj, dhe avokatja e saj, thanë përpara Komisionit se pasuria është e justifikuar dhe se përllogaritjet e të ardhurave të saj janë bërë apriori, pa marrë parasysh shpjegimet.
Në mbrojtje të Xhoxhajt, pas përfundimit të seancës dëgjimore, foli edhe Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, e cila e përkufizoi si një gjyqtare shembullore.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.